“Për ujëra pa plastikë” – Kosova shënon Ditën Botërore të Mjedisit me thirrje për veprim dhe vetëdijesim

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), në partneritet me Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore në Kosovë (IWRM-K), program i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Qeveria e Kosovës, organizoi sot ngjarjen qendrore për Ditën Botërore të Mjedisit 2025.
Tema globale e këtij viti, “Ndalja e Ndotjes nga Plastika”, u përcoll në Kosovë me mesazhin e qartë: “Për Ujëra pa Plastikë”.
“Plastika është bërë një nga rreziqet më të mëdha mjedisore dhe shëndetësore të ditëve të sotme. Shifrat janë alarmante: çdo vit, miliona tonë plastikë përfundojnë në lumenjtë dhe detet tona, duke dëmtuar biodiversitetin, zinxhirin ushqimor dhe shëndetin e komuniteteve tona. Zyra Zvicerane për Bashkëpunim ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një partner i palëkundur i institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, duke mbështetur përpjekjet për qeverisje dhe zhvillim të qëndrueshëm”, deklaroi Shkëlqim Daci, përfaqësues nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës ka investuar rreth 2 milionë euro për pastrimin e lumenjve dhe për të ardhmen po shqyrtojmë një sistem më unik të menaxhimit në Strategjinë e Integruar të Menaxhimit të Mbeturinave. Aktualisht kemi një qendër për ndarjen e mbeturinave, por planifikojmë të kemi 5 qendra ndarjeje në 5 rajone në kuadër të strategjisë”, tha Agim Mazreku, Këshilltar Politik i Jashtëm në MMPHI.
Fryma e mesazhit “Për Ujëra pa Plastikë” u reflektua gjatë gjithë ngjarjes, duke kulmuar me një panel diskutimi gjithëpërfshirës që mblodhi përfaqësues institucionalë, ekspertë të mjedisit, akademikë, organizata të shoqërisë civile dhe të rinj, të cilët theksuan sfidat që lidhen me ndotjen nga plastika në Kosovë dhe ndanë shembuj konkretë, hulumtime dhe ide praktike për zgjidhje afatgjata. Gjatë diskutimit tematik u theksua se ndotja nga plastika tashmë është një krizë globale – dhe Kosova nuk bën përjashtim. Mikroplastikat janë gjetur kudo në ekosistemet ujore, madje edhe në trupin e njeriut, sipas studimeve të fundit ndërkombëtare.

MMPHI dhuroi 100 drunj për Tech Park Prishtina, si pjesë e angazhimit për një mjedis më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm. Ky aktivitet simbolik synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e gjelbërimit urban dhe përfshirjes së komunitetit në mbrojtjen e natyrës, duke e bërë qytetin më të shëndetshëm për gjeneratat aktuale dhe ato të ardhshme.
Ngjarja përfundoi me mbjelljen simbolike të drunjve dhe një ekspozitë kreative të realizuar nga materiale të ricikluara nga nxënësit e Shkollës Finlandeze.
Artikuj të ngjashëm
Artikuj të ngjashëm

Sistem i ri për grumbullimin e ujërave të shiut në shkollën e mesme “Abdyl Ramaj” në Suharekë
Lexo artikullin e plotë
“Për ujëra pa plastikë” – Kosova shënon Ditën Botërore të Mjedisit me thirrje për veprim dhe vetëdijesim
Lexo artikullin e plotë
Sistem i ri për grumbullimin e ujërave të shiut në shkollën e mesme “Abdyl Ramaj” në Suharekë
Lexo artikullin e plotë